
Një i ri i maskuar dhe me një thikë në dorë ka grabitur mëngjesin e së premtes një zyrë të këmbimit valutor dhe transfertave të parave në qytetin e Korçës.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 10 të qytetit juglindor. Burimet policore kanë bërë me dije se i riu, nën kërcënimin e thikës, ka mundur të marrë nga punonjësja e zyrës një shumë prej 2500 eurosh dhe 100 mijë lekësh të rinj.
Më pas, grabitësi është larguar duke humbur gjurmët. Policia e mbërritur në vendngjarje ka marrë dëshminë e punonjëses së shokuar nga kërcënimi, ndërsa mësohet se autori i grabitjes është fiksuar në një nga kamaret e sigurisë të dyqaneve pranë zyrës së grabitur, pak çaste para se të kryente grabitjen.
Ai duket i veshur me të zeza dhe i maskuar. Gjithashtu duket edhe një send që ngjason me thikën që mbante në dorë. Këto pamje, por edhe të tjera po analizohen nga policia për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj grabitje.
Kjo ngjarje duket se ka nxjerrë sërish në pah çështjen e elementeve të sigurisë të zyrave të këmbimit valutor, të cilat mund të grabiten edhe nën kërcënimin e thikës. (A2 Televizion)