59 akuza, përfshirë 15 për vrasje dhe një për akt terrorist, u ngritën ndaj Naveed Akram, autori i dyshuar i sulmit masiv me armë zjarri në plazhin Bondi të Sidneit. Ai dhe babai i tij 50-vjeçar, i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë në vendin e ngjarjes, vranë 15 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë gjatë sulmit që shënjestroi komunitetin hebraik në Australi, në ditën e parë të festës së Hanukës.
Ky ishte sulmi më vdekjeprurës me armë zjarri që prej vitit 1996, shkruan A2 CNN. Akram përballet gjithashtu me 40 akuza për shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore, me qëllim vrasjen. Ai u plagos rëndë në ngjarjen e ndodhur të dielën dhe në seancën e parë gjyqësore mori pjesë nga shtrati i spitalit, ku të martën u zgjua nga koma.
Më herët, policia e Uellsit të Ri Jugor tha se po priste që i dyshuari të përfundonte trajtimin mjekësor përpara se ta merrte zyrtarisht në pyetje. Policia e ka cilësuar sulmin si akt terrorist, ndërsa kryeministri australian, Anthony Albanese, tha se agresorët ishin motivuar nga ideologjia e ISIS-it.
“Duhet të nxjerrim mësime nga e gjithë kjo, të ndërmarrim veprime më të forta dhe ndryshime ligjore. Ne duam të çrrënjosim antisemitizmin nga shoqëria jonë. Duam të eliminojmë ideologjinë mizore që, sipas hetuesve, çoi në këtë krim të frymëzuar nga ISIS-i”, tha ai.
Ati dhe biri kishin udhëtuar në jug të Filipineve, në një rajon që prej kohësh është shënjestruar nga militantizmi islamik, disa javë para se të ndërmerrnin masakrën.
Sipas autoriteteve, 22 persona të plagosur në sulm mbeten të shtruar në spitale rreth Sidneit, me një prej tyre në gjendje të rëndë. Ndërkohë, mes emocioneve të forta dhe lotëve, komuniteti u dha lamtumirën disa prej viktimave të sulmit, përfshirë rabinin Eli Schlanger. Në ceremoni mori pjesë një turmë e madhe njerëzish, përfshirë politikanë dhe autoritete.
41-vjeçari, baba i pesë fëmijëve, ishte organizator i eventit “Chanukkah by the Sea”, gjatë të cilit ndodhi sulmi. Mes viktimave të tjera ishte edhe një i mbijetuar i Holokaustit dhe një vajzë 10-vjeçare. (A2 Televizion)