Vritet një grua në Pejë, i ishte drejtuar Prokurorisë tri ditë më pare

Nga A2 CNN
26 Tetor 2026, 08:30 | Aktualitet

Vritet një grua në Pejë, i ishte drejtuar Prokurorisë tri

Një grua është vrarë të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar është kunati i saj. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari ndodhet në arrati, ka njoftuar Policia e Kosovës, transmeton KosovaPress.

Pas vrasjes është publikuar edhe letra që viktima Arlinda Zekaj ia kishte dërguar Prokurorisë më 22 tetor 2026. Në të, ajo kërkonte ndërmarrjen urgjente të masave, duke përmendur dështime institucionale në trajtimin e rastit të saj.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri! E dhimbshme deri në asht!!”, kishte shkruar mes tjerash tashmë e ndjera.

Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar pranimin e parashtresës nga e ndjera, me inicialet A.Z. Sipas Prokurorisë, ajo kishte kërkuar veprime ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, përfshirë çështjen e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor.

Prokuroria ka bërë të ditur se kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin e parashtresës për trajtim nga prokurori kompetent. Pretendimet do të vlerësoheshin në aspektin e përgjegjësisë penale për veprën “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit, parashtresa u ishte përcjellë për trajtim urgjent edhe Policisë dhe Gjykatës Themelore në Pejë. Ajo i ishte dërguar edhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrës për Punë Sociale.

Këtyre institucioneve u ishte kërkuar shqyrtimi i pretendimeve dhe verifikimi i lëshimeve të mundshme të zyrtarëve përkatës.

Për vendimin gjyqësor lidhur me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka thënë se ai ishte ekzekutuar. Sipas saj, ekzekutimi ishte bërë nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Vrasjes i kishte paraprirë një raportim për dhunë në familje. Policia ka njoftuar se të dielën, rreth orës 19:00, ishte informuar për rastin në Vitomiricë.

Viktima ishte shoqëruar në stacionin policor dhe ishte intervistuar. Ndërkaq, bashkëshorti i saj ishte arrestuar, intervistuar dhe ndaluar për 48 orë.

“Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë”, thuhet në njoftimin policor.

Rreth orës 21:10, Policia kishte pranuar informatën se ajo ishte gjetur pa shenja jete. Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se vdekja ka ardhur nga goditjet me një mjet të fortë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit. Policia ka njoftuar se po ndërmerr veprime për sqarimin e rrethanave dhe arrestimin e të dyshuarit.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe avokatja Adelina Hoxha. Ajo ka akuzuar shtetin për vrasjen e gruas në Vitomiricë. 

“Një grua që mu përgjërua të bëjë gjithçka se nuk i duhet jeta pa djalin e saj...sonte u vra nga kunati me sëpatë...Por, jo ARLINDËN E VRAU SHTETI. Nesër për ju të  gjitha dëshmitë”, ka shkruar Hoxha në Facebook. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos