“Flamingot u rikthyen pas 20 vitesh”, fotografi flet për rëndësinë e tyre

Nga A2 CNN
18 Qershor 2026, 09:48 | Aktualitet

Arian Mavriqi, fotografi i botës së egër, foli për eksperiencën e tij në fotografimin dhe xhirimin e flamingove.

“Flamingot ishin kthyer pas 20 viteve në Shqipëri, pas krimeve monstruoze që ishte bërë ndaj tyre nëpërmjet gjuetisë ilegale. Për fat të keq, prapë për shkak të dorës së njeriut në disa raste, por edhe për shkak të grabitqarëve të tjerë, në këtë rast kishin sulm edhe nga ana çakallit, si një kafshë që jeton në atë zone”, u shpreh fotografi në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.

“Është emocion fantastik për shkak se e kupton që pas 20 viteve janë këtu dhe të japin mundësi t'i fotografosh këto lloje zogjsh, që quhen lejleku rozë. Unë besoj dhe jam shumë optimist që do të ketë një zgjidhje sepse kryefjala janë flamingot. Për neve përbën një emocion dhe kurrë nuk ngopemi duke i fotografuar, duke i xhiruar, sepse janë nga shpendët të cilët jo vetëm ne, por vijnë dhe shumë turistë të huaj nga të gjitha vendet e mundshme të botës ekskluzivisht për t'i parë. Edhe ne i kemi ndihmuar turistët për t'i gjetur se ku janë për ta promovuar sa më mirë Shqipërinë. Në lagunën e Karavastasë janë më së shumti, ndërsa dhe në Zvernec i kam fotografuar më së miri deri më tani, sepse rrinë shumë pranë njeriut. Janë mësuar dhe nuk kanë fare problem, nuk ikin. Në Zvërnec kanë qenë ndoshta fotografitë dhe xhirimet më të mira, të parat të miat i kam marrë në Zvërnec. Edhe sot nuk i harroj ato pamjet që i kam marrë me dron, po ashtu i ke edhe në Patok, në të gjitha këto zona janë të pranishme. Madje, herën e fundit, vitin që shkoi, ishin prezent edhe në Liqenin e Prespës. Nuk është pritur që të ketë apo të shihen flamingot atje”, shtoi Mavriqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos