
Kanë nisur mëngjesin e sotëm homazhet për efektivin e rënë në krye të detyrës, Enea Mekollin. A2 CNN raporton se homazhet kanë nisur në Pogradec në orën 10:00 me shokët, kolegët dhe banorët e fshatit dhe do të mbyllen në orën 12:00.
Trupi i pajetë i Dëshmorit të Atdheut, 34 vjeçarit Enea Mekolli do të prehet në varrezat e vendlindjes, në fshatin Blacë.
Megjithëse statusi i “Dëshmorit të Atdheut” parashikon varrimin në Varrezat e Dëshmorëve, familja ka kërkuar që ceremonia e varrimit të zhvillohet në vendlindjen e tij, shkruan A2 CNN.
Sipas familjarëve, kjo kërkesë lidhet me faktin se ata kanë humbur më herët edhe një djalë tjetër nga një sëmundje e rëndë, gjithashtu efektiv policie.

Dëshira e familjes është që dy vëllezërit të prehen pranë njëri-tjetrit.
Efektivi 34-vjeçar humbi jetën gjatë operacionit për kapjen e një të shumëkërkuari në Lozhan të Maliqit, një ditë më parë.
(A2 Televizion)