
Policia e Shtetit dhe Dogana në Portin e Durrësit kanë zbuluar disa raste të dyshuara gjatë kontrolleve të ushtruara në automjete dhe udhëtarë që vinin nga Italia.
Gjatë verifikimeve në disa mjete të mbërritura me tragetet e linjës Ankona–Durrës, janë gjetur katër gurë të dyshuar si diamante, një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kokainë, si dhe një pajisje elektronike për detektimin e metaleve të çmuara, shkruan A2CNN.
Në një nga automjetet, autoritetet konstatuan një valixhe ku ndodhej aparatura detektuese dhe aksesorët përkatës. Ndërkohë, në një rast tjetër gjatë kontrollit fizik të një shtetasi, u zbuluan katër paketime transparente me gurë të ngjashëm me diamantet.
Po ashtu, në një automjet tjetër u gjet një sasi e dyshuar kokaine e fshehur në veshje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit. (A2 Televizion)