
Pasi "Shqipëria Bëhet" dhe Shoqata "Diaspora për Shqipërinë e Lirë" kanë depozituar kërkesa për shfuqizimin e Aktit Normativ për financimin e koncertiti të Kanye West dhe pezullimin e tij, Gjykatat Kushtetuese njofton se të dyja kërkesat rezultuan të paplota për mungesë dokumentacioni dhe u ka lënë kërkuesve një afat 10-ditor për plotësimin e dosjes. Në të kundërt, kërkesat do të arkivohen.
“Në përgjigje të interesimit tuaj për kërkesat e paraqitura nga Partia “Shqipëria bëhet” dhe Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ju njoftoj se në datën 10.07.2026, në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur dy kërkesa me objekt shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3, datë 06.07.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, si dhe pezullimin e zbatimit të tij.
Gjatë verifikimit paraprak të kërkesave, u konstatua se ato nuk ishin të plota dhe nuk shoqëroheshin me të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga ligji.
Konkretisht, Partia “Shqipëria bëhet” nuk kishte bashkëlidhur aktin e themelimit dhe statutin e partisë, ndërsa Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” nuk kishte paraqitur dokumentacionin që provon statusin e saj juridik, si dhe aktin e përfaqësimit për avokatët e deklaruar në kërkesë.
Për këtë arsye, të dyja kërkesat janë regjistruar si kërkesa të paplota dhe kërkuesve u është kërkuar të plotësojnë dokumentacionin brenda afatit 10-ditor të parashikuar nga ligji.
Nëse dokumentacioni nuk paraqitet brenda këtij afati, kërkesat do të arkivohen”, njofton Gjykatat Kushtetuese.
Më herët Kreu i Shqipëria Bëhet kërkoi nga Gjykata Kushtetuese veprime pa vonesa, pasi sipas tij efektet financiare kanë nisur dhe do të jetë shumë vonë për t’i kthyer sërish pas paratë në buxhetin e shtetit. Lapajt tha se cenon dhe barazinë e shtetasve para ligjit.
“I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të pezullojë në mënyrë të menjëhershme për të mos lejuar pagesat, edhe pse kam dyshimet se mund t’i kenë bërë pagesat. I kemi kërkuar GJK edhe në rast se brenda 45 miratohet akti miratohet, shfuqizimin edhe të ligjit”.
(A2 Televizion)