
Një grup pune i Avokatit të Popullit po monitoron situatën në burgun e Pojskës, ku një grua e dënuar po vuan dënimin së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe, të cilën e ushqen me gji. Ky institucion bëri të ditur se monitorimi synon verifikimin e kushteve dhe rrethanave të rastit, ndërsa gjetjet do të bëhen publike më vonë. Foshnja është vendosur me nënën në seksionin e posaçëm të burgut, ku ndodhet edhe çerdhja.
“Në vijim të interesit tuaj, ju bëj me dije se sot, një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit, konkretisht Mekanizmi për Parandalimin e Torturës, po shkon në burgun e Pojskës, për të verifikuar situatën lidhur me dënimin e një zonje, që është njëherësh edhe nëne e një foshnje 4-muajshe”, njofton Avokati i Popullit.
Gruaja është njëra nga pesë e dënuarat në dosjen e grupit të Bruno Çobos, të akuzuar për mashtrimin e qytetarëve europianë përmes call center-ave. Ato kanë kërkuar në Gjykatën e Posaçme pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke iu referuar kujdesit për fëmijët e mitur dhe kushteve familjare.
Mes tyre janë Elisa Çaçi, e dënuar me 7 vite e 4 muaj burg, si dhe Rezarta Ibrahimi, Greta Pepa, Antoneta Malo dhe Silvana Veliu, të dënuara me nga 6 vite e 8 muaj burg.
Sipas informacioneve, në dosje janë gjashtë gra dhe dënimi është ekzekutuar për katër prej tyre, ndërsa Valbona Abedinaj dhe Antoneta Malo rezultojnë në kërkim. (A2 Televizion)