
Një shkëputje e sistemit të policisë greke si pasojë e rrjetit që furnizon me sinjal interneti, ka shkaktuar radhët e gjata në pikën doganore të Kapshticës. Në një reagim të ambasadës Shqiptare në Athinë për situatën në Kapshticë, mësohet se sinjali është rikthyer rreth orës 12:45, ndërsa për më shumë se tre orë qytetarët kanë pritur në radhë në temperatura të larta.
“Nga komunikimi me autoritetet policore greke të Drejtorisë së Policisë Florinë lidhur me radhët e krijuara gjatë ditës së sotme në PKK Kapshticë, jemi informuar se ka një shkëputje të sistemit të policisë greke si pasojë e rrjetit që furnizon me sinjal interneti.
Sistemi ka patur shkëputje të herë pas hershme për shkak të internetit që nuk varet nga policia greke.
Sinjali është rikthyer rreth orës 12:45 sot ndërsa problemi ka qenë i përgjithshëm si në sinjalin e internetit ashtu edhe ne sinjalin e telefonisë lëvizëse.
Aktualisht po punohet normalisht”. (A2 Televizion)