Ish-presidenti i Republikës Ilir Meta e nisi që në seancën e parë gjyqësore të procesit ndaj tij dhe ish-bashkëshortes, Monika Kryemadhi, përplasjen ballore me prokurorët e SPAK. Pas refuzimit të kërkesës së medias për transmetim televiziv të gjyqit, Meta tha se është provuar gjatë shqyrtimit paraprak se SPAK ka fshehur dëshmi, apo fakte që nuk janë në interes të organit të akuzës.
Pas refuzimit të kërkesës për t’u nxjerrë jashtë kafazit të xhamtë në sallën e gjyqit, Meta ironizoi gjykatën, duke thënë se respektonte vendimin, por se, sipas tij, gjykata ka vlerësuar se komunikimi i tij me avokatin me një xham në mes, është i njëjtë me atë të prokurorëve krah më krah me njëri-tjetrin.
Më vonë, në seancën që zgjati gati 5 orë në total, Meta u shfaq i ashpër pasi dëgjoi prokurorin Sotir Kllapi të lexonte episodet për të cilat akuzohet, dyshimet për korrupsion në çështjen CEZ-DIA, në përdorimin e influencës për një marrëveshje tregtare interkonjeksioni, si edhe për çështjen e lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në SHBA.
Reagimi i Metës erdhi pasi prokurori Kllapi tha përpos dyshimeve të para për një kontratë lobimi me kompaninë McKeon, SPAK nuk kishte ngritur akuzë për këtë rast.
“Jam i revoltuar, tha Meta nga kafazi, se që kur jam pyetur për këtë çështje, e kam bërë të qartë se ka qenë vetëm një pagesë 15 mijë USD, me vendim kryesie, me bankë”.
Meta pretendoi se ka një tendencë për politizim të procesit. “Kur s’ke fakte do e bësh politike”, u shpreh ai. Po ashtu, ish-presidenti tha se SPAK ka fshehur dëshminë e ish-drejtuesit të CEZ në Shqipëri, Jozef Hajsek, të dhënë në Prokurorinë e Tiranës, që provonte të kundërtën e pretendimeve të SPAK, mbi lidhjen e kontratës me CEZ e DIA.
Edhe për sms-në me tekst “më duhen 200 mijë”, që sipas SPAK i ishte dërguar kreut të DIA-s nga Meta, ish-presidenti pretendoi se bëhet për manipulim të opinionit publik.
Në përfundim Meta tha se akuza duhet të jetë e individualizuar dhe se do mbante përgjegjësi vetëm për veprime individuale.
“Nuk jam as për të marrë e as për të dhënë. Unë mbaj përgjegjësi për të miat, e po ashtu znj. Kryemadhi nuk ka pse mban përgjegjësi për CEZ-DIA. Nuk ka akuzë kolektive”, tha Meta.
Për shkak të tejkalimit të orarit zyrtar, SPAK nuk mundi të përfundojë leximin e kërkesës për gjykim, çka do të vijojë në seancën e radhës, të caktuar më 18 qershor.
(A2 Televizion)