
Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Blindi”, duke arrestuar në flagrancë dy persona që qarkullonin të armatosur me një automjet të blinduar me targa ruse.
Operacioni u organizua pas sigurimit të informacionit në rrugë operative për dy shtetas që lëviznin me armë zjarri në automjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës ndërhynë menjëherë, duke ndaluar automjetin e blinduar që drejtohej nga shtetasi E. D., 28 vjeç, me pasagjer E. B., 29 vjeç, të dy banues në Durrës.
“Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë: E. D., 28 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; E. B., 29 vjeç, për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit’”, njofton policia.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, targën ruse të dyshuar si të falsifikuar, një shumë parash, 3 aparate celularë dhe makinën e blinduar me të cilin qarkullonin të arrestuarit. (A2 Televizion)
