Vrau kushëririn me armë zjarri, kush është 32-vjeçari Bertil Alliaj që u arrestua, ishte në kërkim për masakrën e Çoles

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2025, 08:46 | Kronikë

Vrau kushëririn me armë zjarri, kush është 32-vjeçari

Është arrestuar në malet e fshatit Gjorm pas disa orë kërkimesh, 32-vjeçari Bertil Alliaj, i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij, 36-vjeçarit Dalan Alliaj.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se është sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar si e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me 10 fishekë.

32-vjeçari i vënë në pranga ishte një person në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 35 vite burg për vrasje, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë që me 35 vite burgim është dënuar në mungesë për masakrën e Çoles ku mbeten të vrarë tre të rinj, pas një konflikti për motive banale që degjeneroj në përdorimin e armëve të zjarrit nga dy grupe me tre djem të moshave 18-21 vjec secila dhe la pas tre viktima. Të dënuar më parë për masakrën e Çoles janë edhe Aleksander Llanaj si dhe Ani Begaj i kapur dy vite më parë pas disa viteve në arrati. Prej 2015 Bertil Alliaj ishte në arrati.

Vrau kushëririn me armë zjarri, kush është 32-vjeçari
Masakra e Çoles, në pjesën sipër autorët e shpallur në kërkim dhe arrestuar Aleksandër Llanaj, Ani Begaj, Bertil Alliaj. Poshtë janë tre viktimat, Akil Hasanaj allias Haki Rakipaj 29 vjeç, Ardi Velaj allias Ferdian Velaj 27 vjeç dhe Albi Limaj 21 vjeç në atë kohë.

Njoftimi i Policisë:

DVP Vlorë-Pas rreth 5 orësh kërkimesh intensive, me përdorimin edhe të dronit, Policia e Vlorës bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në fshatin Gjorm, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, nga kushëriri i tij, një 36-vjeçar.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar si e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me 10 fishekë.

32-vjeçari i vënë në pranga, person në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 35 vite burg për vrasje.

Pas marrjes së njoftimit nga familjarët se në fshatin Gjorm ishte gjetur pa shenja jete shtetasi D. A., 36 vjeç, banues në Fier, të cilit gjatë këqyrjes i janë konstatuar plagë të shkaktuara me armë zjarri, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u ngrit një grup hetimor me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, i përbërë nga specialistë të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe ekspertë kriminalistikë.

Falë veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Bertil Alliaj, 32 vjeç, banues në fshatin Gjorm, Selenicë, i cili pas ngjarjes ishte larguar në zonën malore përreth. Menjëherë shërbimet e DVP Vlorë u organizuan dhe nisën kërkimet për kapjen e tij.

Falë kontrolleve intensive të shtrira gjatë gjithë natës dhe përdorimit të dronit për krehjen e zonës, rreth orës 01:05 të mëngjesit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bertil Alliaj, pasi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.

Gjatë kontrollit fizik të autorit, iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Beretta FS92”, e dyshuar si arma e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 6 gëzhoja dhe 1 predhë arme zjarri.

Shtetasi Bertil Alliaj rezulton gjithashtu person në kërkim, menjëherë pas kapjes së tij, u ekzekutua edhe vendimi i datës 20.01.2016, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila e ka dënuar me 35 vite burg për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos