
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, mësohet se Violand Braçellari ka folur vetëm për dënimin e dhënë nga Gjykata e Korçës në vitin 2017, dënim i lidhur me kultivimin e lëndëve narkotike dhe që ishte vendosur për 10 vite.
Ai është justifikuar se nuk ka kultivuar cannabis. Nga ana tjetër, mësohet se nuk ka deklaruar asgjë për vrasjen e efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjen e efektivit tjetër, Edison Adri.
Gjykatat e Korçës ka lënë në burg Violand Braçellarin, i akuzuar për vrasjen e policit Enea Mekolli dhe plagosjen e efektivit tjetër Edison Adri në Lozhan të Maliqit.
A2 CNN raporton se seanca për masën e sigurisë është zhvilluar brenda ambienteve të spitalit të Traumës, ku Braçellari u transportua pas ngjarjes, për shkak të tre plumbave të marra, gjatë shkëmbimit të zjarrit në operacion.
Vendimi i Gjykatës:
1. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V.B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit", "Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit" ngelur në tentativë, "Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në ambiente publike dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive" në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar prej neneve 79/b, 79b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.
2. Caktimin ndaj personit nën hetim V.B, të masës së sigurimit personal "Arrest në burg" të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
3. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
U shpall nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës Tiranë, sot më datë 07.06.2026.
(A2 Televizion)