
Dëshirës së Edi Ramës për të bërë një reformë kushtetuese, Sali Berisha i është përgjigjur negativisht, duke mohuar uljen në tryezë me kundërshtarin e tij. Gjatë një bashkëbisedimi me qyteterarët, Berisha qartësoi edhe qëndrimin e demokratëve se nuk do marrin pjesë as në dy komisionet e posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, shkruan A2. “Me Edi Ramën nuk ka asnjë kompromis. Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të paraqitet para ligjit për të gjitha aktet e tij, vjedhjet e tij monstruoze”, tha Berisha.
Ideja e ndryshimit të Kushtetutës është hedhur nga dy liderët e politikës në javët e para te sesionit parlamentar të vjeshtës. Në tetor Berisha propozoi Parlament me dy dhoma. Por ndryshimi i kursit të liderit të opozitës erdhi së pari pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Mendimin se me Ramën nuk duhet të ulesh në tryezë, Berisha duket se e ka përforcuar edhe pas deklaratave të kreut të ekzekutivit që njoftoi gjatë mbledhjes me grupin parlamentar se kishte ndërmend të miratonte një tërësi ligjesh në Kuvend, edhe pa opozitën.
“Dje informoi se kishte ndërmend me procedura të shpejtuara të miratonte ligje që bllokojnë veprimin apo përpjekjen e institucioneve të drejtësisë për zbatimin e ligjit, ndjekjen e tij penale dhe ndjekjen e bashkëpunëtorëve të tij. Ai do kalojë me sa duket kodin e ri të ish-bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, një kod i vërtetë i një narko-diktature, kod me të cilin ai sigurisht bllokon veprimet e pushtetit gjyqësor, mbron aktet kriminale të vetat, familjes së tij dhe qeveritarëve të tij”, tha Berisha.
Një përgjigje pati edhe për atë që Rama e quajti “rrugaçëri parlamentare”, ku i kërkoi Niko Peleshit që të mos lejojë më opozitën që të marrë fjalën për prodedurë në pafundësi. “Ndërkohë që u zotua gjithashtu se do bëjë gjithçka për t’i shkurtuar, për t’ia gjymtuar përfundimisht dhe atë hapësirë minimale që ka opozita në parlament për të marrë fjalën për procedurë, pasi nuk bëhet më fjalë për debate dhe ligje, nuk bëhet fjalë për interpelanca, nuk bëhet fjalë për komisione hetimore parlamentare dhe të gjitha të drejtat e tjera që i takojnë sipas Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit opozitës. Pra, de facto ai ka pushtuar parlamentin dhe po e përdor atë në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë”.
Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në mediat sociale foli edhe për problemet e brendshme të PD, ku u kërkoi demokratëve që të mos marrin pjesë në foltoret e Salianjit, ndërkoë u bëri thirrje që të bashkohen në protestën e 24 Janarit.
Pyetjes nëse e konsideron largimin e tij si një përgjigje për të gjithë ata që nuk shohin alternativë tek demokratët, Berisha i dha një përgjigje të gjatë mes një vale zemërimi. (A2 Televizion)