Kuvendi “varet” tek Kushtetuesja, Peleshi shtyn pa afat mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Ballukun

Nga Fjorela Beleshi
28 Janar 2026, 14:54 | Politikë

Pas Gjykatës Kushtetuese, edhe Kuvendi ka marrë kohë pa afat për të shqyrtuar kërkesën e drejtësisë për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, shkruan A2. Mëngjesin e kësaj të mërkure, anëtarët e Këshillit të Mandateve janë njoftuar nga kryeparlamentari Niko Peleshi se mbledhja e parashikuar që të mbahej në orën 12:00 do të shtyhet deri në momentin që trupa gjykuese e Kushtetueses të marrë vendim për ankimimin e Kryeministrit për masën e parë të sigurisë, atë të pezullimit nga detyra të Ballukut.

Deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së SPAK “për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit.

KUVENDI I SHQIPËRISË

Me disa orë vonesë kanë reaguar demokratët, të cilët besojnë se kjo është një skenar i dakordësuar mes dy institucioneve për të blerë kohë kundër drejtësisë.

Zvarritja e çështjes Balluku, si në Parlament ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, nuk është rastësi, por një operacion i koordinuar politik për të bllokuar SPAK-un dhe për të mbrojtur korrupsionin në majë të pushtetit. Është shtyrë, pa asnjë arsye të ligjshme, mbledhja e Këshillit të Mandateve, me justifikimin se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse masa e re e sigurisë që kërkon SPAK ndaj Ballukut nuk ka asnjë lidhje me çështjen e pezullimit nga detyra. Çdo vonesë është shërbim i drejtpërdrejtë për Edi Ramën, për të blerë kohë kundër drejtësisë, dhe për të pandehurën Balluku, për prishje provash, intimidim dëshmitarësh dhe vijim të aferave korruptive me vlerë miliona euro.

GAZMENT BARDHI, KREU I GRUPIT PD

Pavarësisht këtyre akuzave, qëndrimi i socialistëve ishte i pritshëm, duke mbajtur në konsideratë vullnetin e shprehur publikisht nga shefi i tyre, Edi Rama, i cili e ka bërë të qartë që nuk do t’i japin përgjigje SPAK-ut për imunitetin e Belinda Ballukut, pa u shprehur fillimisht Kushtetuesja nëse GJKKO dhe SPAK kanë shkelur kompetencat e Kryeministrit me pezullimin e një anëtari të qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos