
Lajm i mirë për qytetarët e Roskovecit e ka cilësuar kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi marrjen të pandehur nga SPAK të kryebashkiakes Majlinda Bufi. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se marrja e pandehur për krime elektorale është vetëm një prej shkeljeve të shumta të kryera prej saj.
“Më në fund kriminelja elektorale Majlinda Bufi, do të përballet me pasojat e një pjese të krimeve të saj. Marrja e pandehur për krime elektorale është vetëm një prej shkeljeve të shumta të kryera prej saj në ushtrimin e detyrës si Kryetare e Bashkisë së Roskovecit. Duke u konfirmuar ajo që kemi thënë prej ditës së parë se në Fier, Partia Socialiste u shndërrua në një bandë elektorale të mirëfilltë. Fillim i mbarë, por i pamjaftueshëm”, shprehet Bardhi.
Sipas burimeve të A2CNN pranë Strukturës së Posaçme, Bufi është marrë e pandehur për veprën penale të “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike”.
Hetimi i nisur pas një kallëzimi penal ndaj saj është përfunduar nga SPAK dhe dosja është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të shortohet dhe më pas nënshtrohet shqyrtimit paraprak. (A2 Televizion)
