
Avokati Indrit Sefa, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se votimi i Endri Shabanit në postin e Avokatit të Popullit ishte marrëveshje politike mes mazhorandës dhe opozitës.
“Nëse ke një marrëveshje politike me mazhorancën, që si opozitë je i detyruar ta kesh për shumë e shumë arsye, duhet ta pranosh publikisht. Duhet ta pranosh që ke një marrëveshje sepse kjo është politikë normale. Por, edhe të ruhesh, edhe të votosh… Ka pasur një kakofoni në radhët e opozitës në rastin e Avokatit të Popullit”, tha fillimisht Sefa.
Sipas tij, opozita dhe mazhoranca kanë pasur emrin e Endri Shabanit në negociatat për Avokatin e Popullit.
“Jam i bindur që negociata ka qenë për Endri Shabanin. Ka qenë marrëveshje politike sepse Sali Berisha është njeriu më luajal në marrëveshjet politike me Edi Ramën. Marrëveshja fillon që te Lefterie Luzi, te Arben Ristani e të gjithë me radhë. Do të vijojë me Kontrollin e Lartë të Shtetit se nuk është lojë e shpejtë kjo, është martonë”, theksoi Sefa.
“Është marrëveshje politike në vazhdim”, shtoi avokati Indrit Sefa. (A2 Televizion)