Projekti Durana në Xhafzotaj të Durrësit, është përvetësuar nga mafia. Akuza është e Sali Berishës, i cili bëri përgjegjës Edi Ramën për dështimin e projektit që parashikontenjë zonë të lirë ekonomike dhe një park teknologjik.
“Jam këtu për parkun virtual të high-tech, apo de facto Troplanën e Shkozetit, një skandal i denjë për filmat më horror në gjininë e vjedhjeve të pasurive publike. E vërteta është se kjo iu premtua, se Ramaduro filloi të flasë për Silicon Valley në Durrës. Por menjëherë kthetrat e egra të mafies shqiptare përvetësuan projektin dhe kompania prestigjioze nuk gjeti asnjë mundësi të investonte në këtë vend”, tha Berisha, përcjell A2.
Sipas liderit demokrat, territori ku duhej të ngrihej zona e lirë ekonomike e pagëzuar si Durana, zotërohet nga familja e Troplinëve, ndaj ai e mbiquajti disa herë si Tropalana. Berisha tha se kompanitë e regjistruara në Durana nuk paguajnë taksa, por sipas tij detyrohen që të paguajnë tarifa te kryeministri Edi Rama dhe i shpalluri në kërkim Ergys Agasi.
“Ka qëndruar në krye të një skeme të quajtur park teknologjik ku ka prej vitesh vetëm livadhe, kurse vidhen qindra milionë euro taksa të qytetarëve shqiptarë. Ky skandal dëshmon dhe njëherë shkallën më të lartë të inkriminimit të kreut të organizatës kriminale Edi Rama. Dëshmon se krimet ekonomike të rënda, vjedhjet e tij janë të pakufishme”, shtoi Berisha.
Lideri i opozitës përballë gazetarëve u bëri sërish thirrje shqiptarëve që të bashkohen në protestën e 24 Janarit për largimin e Edi Ramës. “Opozita është e sigurt që do të realizojë objektivin e saj. Kjo është dhe ka besim të madh tek guximi, ka besim të madh tek trimëria, ndershmëria e qytetarëve shqiptarë”.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita ka mbështetjen e ndërkombëtarëve në betejën e saj, por shtoi se do jenë qytetarët ata që do të rrëzojnë Ramën nga pushteti. (A2 Televizion)