"Rama nuk votoi marrëveshjen për Bordin e Paqes"- Bardhi: Vullneti i vërtetë politik matet me votë, jo me fjalime patetike!

Nga A2 CNN
22 Janar 2026, 16:46 | Politikë

"Rama nuk votoi marrëveshjen për Bordin e Paqes"- Bardhi:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama nuk votoi në Parlament për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet vullneti i vërtetë politik matet me votë dhe jo me fjalime patetike, duke iu referuar kështu fjalimeve të Ramës në Kuvend.

Bardhi tha gjithashtu se kryeministri Rama e përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si skenë të urrejtjes politike kundër opozitës dhe si moment për të goditur SPAK-un, shkruan A2 CNN.

Ai shtoi gjithashtu se kryeministri u rreshtua sot në Parlament si avokat i Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, por jo si një shtetar i përgjegjshëm.

Reagimi i Bardhit:

Kush beson vërtet te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, Presidenti Trump, nuk braktis votimin. Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen!

Iku nga seanca pa asnjë arsye shtetërore. Sepse Edi Rama jo vetëm që nuk e sheh dot me sy Donald Trump, por i duhej vetëm skena politike për të mbuluar dështimin e tij spektakolar me mungesën në Davos.

Rama e përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si skenë të urrejtjes politike kundër opozitës dhe si moment për të goditur SPAK-un. U rreshtua si avokat i Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, por jo si një shtetar i përgjegjshëm.

Ne ia dogjëm skemën perverse antiopozitë Edi Ramës. Ne e votuam me besim marrëveshjen dhe partneritetin me Presidentin e SHBA-së. Ai u zhduk nga Parlamenti pa votuar.

Vullneti i vërtetë politik matet me votë, jo me fjalime patetike! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos