“Rikthim në jetë të PD”, Salianji sfidon Berishën, nis lëvizjen e re në parti

Nga Ervin Koçi
3 Dhjetor 2025, 23:09 | Politikë

Ervin Salianji filloi zyrtarisht lëvizjen e re brenda Partisë Demokratike. Takimi i parë me strukturat e partisë u zhvillua në Durrës, ku kishte me vete edhe dy nga kandidatët më të votuar të demokratëve në 11 maj, por që nuk u zgjodhën deputetë: Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja. Ky i fundit ishte protagonist në takim, ndërsa Alimehmeti qëndronte në rreshtat e fundit të sallës.

Ky takim mbante me vete shumë simbolika, sidomos atë të një fraksioni të ri në PD, të cilin Salianji e përkufizoi si një rikthim në jetë të partisë, njësoj si titulli i këngës së Pink Floyd “Coming Back to Life”, që ai kishte përzgjedhur si kolonë zanore të aksionit të tij brenda demokratëve.

Ashtu si vargjet e këngës, “të humbur në mendime e në kohë”, Salianji mbajti një retorikë kritike ndaj lidershipit demokrat, i cili sipas tij nuk po arrin të frymëzojë më aksionet politike.

“Ne nuk mund t’i mbyllim as sytë e as veshët, kur një super skandal si ai i Belinda Ballukut nuk bëri që të dalin njerëzit në shesh e revoltë për ta përmbysur këtë qeveri”, tha Salianji.

Emri i Sali Berishës nuk u përmend asnjëherë nga Ervin Salianji, por duke renditur arsyet se përse demokratët nuk dalin më as të votojnë, ai e drejtonte në mënyrë të nënkuptuar gishtin e fajit nga lideri historik i PD-së.

“Dhe ky ndryshim, pa diskutim, që fillon edhe nga kjo sallë, si takimi i parë që po zhvillojmë me demokratët, nga ky brez që dëgjuam pak më parë, nga kjo energji që është e pashtershme në PD, por që nuk i jepet mundësia për arsye që i di secili prej jush”, u shpreh Salianji.

Për Salianjin dhe mbështetësit e tij, momenti i ndryshimit të lidershipit të PD-së duket se ka ardhur, dhe sfida politike para tyre shihet e fortë. Ashtu siç thonë vargjet e kolonës zanore të tij, për ta “është koha për të vrarë të kaluarën”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos