Inter shpëton në minutat e fundit, autogoli i Veronës i jep 3 pikët

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2025, 16:35 | Futboll

Inter shpëton në minutat e fundit, autogoli i Veronës i jep 3

Inter ka marrë një fitore dramatike 2-1 ndaj Veronës në ndeshjen e mesditës së të dielës, falë një autogoli të Frese në minutën e 94-t. Skuadra e trajnerit Cristian Chivu siguroi tri pikë të çmuara dhe u ngjit në vendin e dytë të renditjes, vetëm një pikë larg Napolit kryesues, në pritje të duelit Milan–Roma.

Nerazzurrët e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh në minutën e 15-të me një perlë të Zielinskit, i cili goditi fluturimthi nga jashtë zonës pas një pasimi të zgjuar nga Calhanoglu në goditjen e këndit. Megjithatë, ritmi i Interit ra ndjeshëm dhe Verona arriti barazimin në minutën e 40-të me një goditje të fuqishme nga Giovane, shkruan A2 CNN.

Pjesa e dytë solli ndryshime të shumta nga Chivu, që futi në lojë Dumfries, Esposito, Barella dhe Dimarco për të dhënë më shumë freski e presion ofensiv. Verona mbrojti me vendosmëri dhe rrezikoi pak, por në fund fati nuk ishte në anën e saj. Në minutat shtesë, një krosim i Barellas u devijua pa dashje nga Frese në portën e tij, duke i dhënë Interit një fitore me shumë fat dhe duke lënë Veronën të mbërthyer në zonën e ftohtë të renditjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos