
Futbolli turk po përballet me krizën më të madhe në historinë e tij pas shpërthimit të një skandali masiv bastesh që ka përfshirë mbi 1,000 lojtarë dhe qindra gjyqtarë.
Federata Turke e Futbollit (TFF) i është drejtuar FIFA-s me një kërkesë zyrtare për hapjen e një afati të jashtëzakonshëm 15-ditor për transferime, për të zëvendësuar lojtarët e pezulluar, shkruan A2 CNN.
Hetimet kanë zbuluar se 1,024 futbollistë dhe 149 gjyqtarë e asistentë janë përjashtuar nga aktiviteti, përfshirë emra të lidhur me klubet e mëdha si Galatasaray, Trabzonspor dhe Besiktas. Madje, edhe presidenti i Eyupsporit, Murat Ozkaya, ndodhet mes të hetuarve. Presidenti i TFF-së, Ibrahim Haciosmanoglu, e cilësoi situatën si “krizë morale që kërcënon integritetin e futbollit turk”.
Federata kërkon që FIFA të lejojë një dritare emergjente, e ngjashme me rastin kur Real Madrid dhe Liverpool morën leje speciale për transferime për Kupën e Botës për Klube. Aktualisht, kampionati turk është pezulluar, ndërsa skandali ka tronditur publikun pasi 371 nga 571 gjyqtarë aktivë rezultuan me llogari bastesh, njëri prej tyre me mbi 18,000 baste të vendosura. (A2 Televizion)
