
Flamurtari shijon fitoren e parë, ndal Vllazninë në Vlorë dhe del nga kriza. Përpara ndeshjes, futbollistët e të dyja skuadrave dolën me karafila të bardhë nga tuneli dhe shkuan tek “Flota Kuqezi”, aty ku është vendosur fotografia e 17-vjeçarit Leandro Shametaj, adoleshentit i cili humbi jetën pasi një makinë e përplasi kur po udhëtonte me motomjet.
Stadiumi u ngrit në këmbë në shenjë respekti.
Sas i përket ndeshjes, kuqezinjtë i falen penalltisë dhe Herald Markut në ndeshjen e javës së 9 përballë kryesuesve të Vllaznisë. Vlonjatët kanë fituar me shifrat minimale 1-0, pas një ndeshje të luftuar, ku e kërkuan me ngulm golin derisa e gjetën atë me një penallti të realizuar nga ishi i Vllaznisë, Herald Marku.
Pas takimit, trajneri i Flamurtarit, Francesco Moriero u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe theksoi se më në fund ekipi i tij mori atë që meritonte: "Në ndeshjet përpara nuk është e thjeshtë për t'u shpjeguar humbjet. Kemi qenë të penalizuar edhe nga fati, pasi me Partizanin ishte edhe një gol në favorin tonë që është anulluar. Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për ne. Kemi punuar fort dhe më në fund fati na buzëqeshi. Në ndeshjet e kaluara, si ajo me Teutën, kemi pasur edhe raste të diskutueshme, madje një gol kundër nesh ishte në pozicion jashtë loje. Sot djemtë treguan karakter dhe morën tre pikët që na duhej për moralin e skuadrës. Jam i lumtur për djemtë, stafin, publikun, për të gjithë”.
Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini pranoi se ndeshja ishte e vështirë dhe se mungesat kishin ndikuar në performancën e ekipit shkodran: "Ashtu si shkoi loja unë them se rezultati më i drejtë ishte barazimi. Ne kishim hallet tona në këtë ndeshje ishin me 6 lojtarë mangët. Kjo ishte arsyeja që nuk ishim në nivelin e ndeshjeve të tjera. Gjithsesi, ishte ndeshje e mirë deri diku. Por pikët vlejnë në këto momente se nuk mund të luash gjithmonë me të njëjtin ritëm. Megjithatë, nuk kërkojmë justifikime duhet të reagojmë menjëherë dhe të rikthehemi te rezultatet pozitive”.
Edhe ndeshjen e radhës Flamurtari e luan në Vlorë të dielën, teksa pret Elbasanin në një ndeshje tejet të rëndësishme. (A2 Televizion)
