“Në Kombëtare pamë tre Sylvinho”, Dabulla: I treti punoi më shumë për veten

Nga A2 CNN
24 Maj 2026, 23:07 | Futboll

Rezart Dabulla komentoi aventurën e Sylvinhos në krye të Kombëtares shqiptare, duke u shprehur se në 3 vite e gjysmë si trajner i kuqezinjve, ka pasur 3 versione të ndryshme të tij.

“Më është dukur gjithmonë që kanë qenë disa Sylvinho, jo vetëm një. Ka qenë tjetër Sylvinho kur ka ardhur në fillim, në eliminatoret e Europianit; ishte tjetër Sylvinho në Europian, me moszgjedhjet e tij se kush do shkonte në Europian; dhe në fund ishte Sylvinho 3, me eliminatoret e Botërorit. Ky i fundit punoi më shumë për veten sesa për të na çuar neve një hap më tej”, tha Dabulla në studion e “Mega Sport” nga Altin Sulçe, në A2CNN.

Ish-futbollisti shtoi se shpreson që trajneri i ri, Rolando Maran, të punojë më shumë për skuadrën përfaqësuese sesa për veten e tij.

“Shpresoj që trajneri i ri të punojë më shumë për ekipin tonë sesa për veten. Sepse mua m’u duk që Sylvinho në muajt e fundit të qëndrimit të tij më shumë punoi për veten sesa për ne. Sylvinho nuk guxoi që të provonte, mbase do kishte më tepër shanse për të marrë ndonjë pikë më shumë ne dhe mbase mund të ishim në Botëror”, u shpreh Dabulla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos