
Nëna e portierit të përfaqësueses së Kepit të Gjelbër, Vozinha, do të mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për të ndjekur nga afër ndeshjen historike të djalit të saj në Kupën e Botës 2026, pas ndërhyrjes së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe liderit demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries.
Jeffries njoftoi se nëna e futbollistit do të pajiset me vizën e nevojshme në kohë për sfidën që Kepi i Gjelbër do të zhvillojë ndaj Uruguait të dielën në Miami. Sipas tij, të gjitha tarifat janë hequr në përputhje me politikat zyrtare dhe po bëhen përgatitjet e fundit për ribashkimin e nënës me të birin, shkruan A2 CNN.
Çështja mori vëmendje ndërkombëtare pasi Vozinha deklaroi pas barazimit surprizues 0-0 ndaj Spanjës se nëna e tij nuk kishte mundur të ishte e pranishme në stadium për shkak të vështirësive që lidhen me procedurat dhe kostot e vizës amerikane.
Megjithatë, Departamenti i Shtetit sqaroi se nuk kishte asnjë aplikim të regjistruar për vizë nga nëna e portierit dhe theksoi se familjarët e futbollistëve pjesëmarrës në Botëror përfitojnë përjashtim nga kërkesa për garanci financiare. Autoritetet amerikane bënë të ditur se kanë kontaktuar drejtpërdrejt familjen për t’i ndihmuar me procedurat.
Burime pranë çështjes kanë bërë me dije se nëna e Vozinha-s aktualisht nuk disponon një pasaportë të vlefshme dhe po punon për ta siguruar atë sa më shpejt.
40-vjeçari Vozinha është kthyer në një nga historitë më të bukura të këtij Botërori. Portieri, i cili aktivizohet në kategorinë e dytë të futbollit portugez, realizoi shtatë pritje ndaj Spanjës dhe ndihmoi kombin e tij të arrinte një rezultat historik në debutimin e parë në Kupën e Botës. Popullariteti i tij është rritur ndjeshëm, ndërsa numri i ndjekësve në rrjetet sociale ka shpërthyer pas paraqitjes së jashtëzakonshme kundër kampionëve të Europës. (A2 Televizion)