
Humbja përballë Shqipërisë e ka tronditur Serbinë, e cila e sheh veten në vendin e tretë të Grupit K, dy ndeshje para fundit të kualifikueseve, dhe tashmë ndodhet përballë një misioni pothuajse të pamundur në ‘Wembley’.
Për të mbajtur gjallë shpresat, serbët duhet të fitojnë ndaj Anglisë më 13 nëntor, një detyrë jashtëzakonisht e vështirë, sidomos kur kujtohet humbja e thellë 5-0 që pësuan në Beograd.
Megjithatë, në kampin serb mbizotëron ende besimi. Mbrojtësi i Milanit, Strahinja Pavlović, theksoi se skuadra nuk do të dorëzohet.
“Padyshim që nuk është e lehtë, por shanset ekzistojnë. Ne shpresojmë të fitojmë të dy ndeshjet dhe të mos bëjmë llogari. Do të shkojmë në ‘Wembley’ me motivim maksimal për të dhënë më të mirën tonë. Nëse nuk ia dalim, do t’i japim dorën kundërshtarit dhe do të ecim përpara.”
Pavloviç shtoi gjithashtu se besimi në fitore është i pandashëm nga çdo futbollist profesionist:
“Askush nga ne nuk do të ishte këtu nëse nuk do të besonim se mund të mposhtnim Anglinë. Unë nuk kam takuar asnjë lojtar që nuk beson se mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari. Ne do të shkojmë në Londër për të dhënë 100%.” (A2 Televizion)
