Alban Xhaferi, sponsori që e ktheu Vllazninë te ecuria pozitive dhe bëri tifozët shkodranë të ëndërrojnë pas afro një dekade vuajtje, pritet të jetë pronari i ri i klubit. Në garën e privatizimit të kuqebluve, tre subjektet e kualifikuara paraqitën dokumentacionin final për fazën finale të ankandit, pranë Këshillit Bashkiak. Njësia e Ankandit njoftoi se ka shqyrtuar dokumentacionin e ofertuesve, për shitjen e aksioneve në masën 100% dhe ka njoftuar me shkrim secilin subjekt mbi vlerësimin e dokumentacionit teknik përkatës. Pas përfundimit të afateve ligjore, kompanitë e kualifikuara do të njoftohen me shkrim përdatën dhe vendin e zhvillimit të procedurës vijuese të ankandit. Por, sipas informacioneve jo-zyrtare në Shkodër bëhet e ditur se kompania e përfaqësuar nga Alban Xhaferi, është e vetmja nga tre subjektet ofertuese që është kualifikuar në fazën finale të ankandit. Kjo bën që sponsori aktual të jetë fare pranë blerjes së aksioneve të klubit, edhe pse oferta e tij ishte 625 mijë euro, pothuajse sa gjysma e ofertës më të lartë. Njëra prej dy kompanive në garë nuk u kualifikua në fazën finale të ankandit, për shkak të mangësive në dokumentacion. Megjithatë, sipas ligjit, dy ofertuesit kanë shtatë ditë kohë të ankimojnë, për të vijuar garën për privatizimin e Vllaznisë. (A2 Televizion)
Ankandi për shitjen e Vllaznisë, Alban Xhaferri drejt blerjes së klubit
