
Shqipëria mori një tjetër borxh. Kësaj radhe në tregjet ndërkombëtare. Paraprakisht, raportohet se Eurobondi është në vlerën e 650 milionë eurove me interes 3.75 për qind. Kjo është e pesta herë prej 2010-s që Shqipëria merr këtë lloj borxhi, duke bërë që shuma totale e detyrimeve të kalojë 2.5 miliardë euro.
Për qeverinë, marrja e borxheve është sukses, pasi tregon besueshmëri tek të huajt dhe aftësi për të shlyer detyrimet. Edhe më shumë i mëshohet normës relativisht të ulët të interesit.
Po a është në të vërtetë Eurobondi një “histori suksesi”?
“Nuk është arritje shumë e madhe reflekton nivelin e pasigurisë dhe rrezikun që tregu shqiptar paraqet në sytë e investuesve ndërkombëtarë. Nëse shohim vendet fqinje që kanë emetuar borxhe, kanë marrë norma interesi nga 1-2% që do të thotë që nuk është normë jashtëzakonisht e ulët dhe do të paguajmë interesa për breza të tërë”.
Referuar të dhënave nga Ministria e Financave, aktualisht, përfshirë edhe Eurobondin, borxhi publik ka arritur në mbi 11.1 miliardë eurove, thënë ndryshe sa 79.7 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Ky tregues është ndjeshëm më i përkeqësuar se në 2013, ku detyrimet e përgjithshme publike ishin në kuotën e 7.5 miliard euro, sa 65.5 për qind e prodhimit kombëtar.
“Niveli i borxhit është barrë e madhe për qytetarët dhe buxhetin e shtetit. Është përcaktues edhe për normat e interesit që ne si shtet do të na aplikohen në vite. Por ajo që ka rëndësi është që borxhi të alokohet në investime që të jenë produktive”.
Në mars, Maqedonia e Veriut arriti të marrë 700 milionë euro borxh përmes një eurobondi 7-vjeçar me normë interesi prej 1.62 për qind, ndërsa në tetor Serbia mori 1 miliard euro përmes emetimit të dy eurobondeve, i pari me interes 1 për qind, ndërsa i dyti 2.05 për qind. (A2 Televizion)