Leli në “Absolut 4”: Shtëpitë që përmbyten janë të ndërtuara pranë lumit

Nga A2 CNN
26 Janar 2021, 21:53 | Aktualitet
Leli në “Absolut 4”: Shtëpitë që përmbyten

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, në një lidhje direkte me “Absolut 4” në A2, deklaroi se shtëpitë e përmbytura në qarkun e Vlorës janë ato të ndërtuara pas viteve ’90, me iniciativë personale, në vende ku nuk duhej ndërtuar.

“Askush nuk kontrollon dot intensitetin e reshjeve, vetëm kemi përgjegjësi që të bëjmë maksimumin për menaxhimin e situatave. Planet e Novoselës në lajme tregojnë gjithmonë një shtëpi të përmbytur në Urën e Mifolit, por harrojmë se ajo shtëpi nuk ka qenë aty para viteve ’90. Shtëpitë që përmbyten janë të ndërtuara me iniciativa personale, shtëpi të ndërtuara në shtëpinë e lumit, dhe janë ato që përbëjnë lajm kombëtar. Të paktën, kjo ka ndodhur në eksperiencën time, në Vlorë. Pavarësisht kësaj, ne jemi të përgjegjshëm dhe këto familje janë të parat që paralajmërohen kur mund të ketë përmbytje”, u shpreh Leli.

Ndërsa kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana u shpreh se “situata nuk është aq alarmante sa vitet e mëparshme”.

“Ngritëm argjinaturën e Lumit Erzen sapo erdha në detyrë. Dëmet kanë qenë shumë të vogla, vetëm një familje është evakuuar. Kemi ngritur sot grupin e vlerësimit, që të merren masa dhe të llogariten dëmet. Në Bashkinë e Shijakut, përpos 3 familjeve që kanë shtëpitë nën nivelin e lumit Erzen, nuk kemi asnjë banesë tjetër të përmbytur në bashki. Përmbytjet nuk kanë bërë dëm të madh, ndërsa rastet të cilave u referohet opozita nuk kanë lidhje me Bashkinë Shijak”, deklaroi Arabana. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos