Fushata zgjedhore për 25 prillin po fillon të ngrohet, por si do të hyjë në tregun politik “Nisma” ? Endrit Shabani, një nga anëtarët më të njohur të saj, e shpjegon për A2. “Për 30 vjet mendësia ishte të votonim për të keqen më të vogël. Ndodhi me Nanon, Sali Berishën dhe tani me Ramën. Shumë njerëz nuk e shohin këtë zgjidhje te Lulzim Basha dhe Meta, dhe nuk duan të shkojnë të votojnë. Në këtë pikë mendojmë se mund të ofrojmë një alternativë, duke filluar të bëjmë në Kuvend gjërat që kemi propozuar nga viti 2014, duke filluar nga ndryshimi i sistemit zgjedhor”, thotë ai. Por sa i njohin qytetaret platformat politike? “Platformat nuk i kanë ofruar zgjidhje qytetarëve, Rama i fitoi pa asnjë program zgjedhjet e fundit. Është perceptimi që programet janë mashtrime. Por në qoftë se qytetarëve i jepen propozime konkrete, ata i kuptojnë. Për reformën zgjedhore, nisëm diskutimin në 2019. Qëndrimi i politikaneve dhe mediave ishte që opinioni publik nuk e kuptonte një betejë të tillë, ndërkohë që u tregua e kundërta. E njëjta gjë mund të bëhet me çështjen e taksave ose të burimeve natyrore”, tha Shabani. Sipas tij, “këto debate nuk bëhen në Parlament, që shërben si kolegj elektoral, me deputetët që janë ushtarë të kryeministrit. Në legjislaturën e fundit 40 deputetë nuk kanë folur kurrë në 4 vjet”. Disa kanë bërë një paralelizëm të Nismës Thurje me lëvizjen Mjaft!, por Shabani e refuzon atë. “Na thonë se jemi si Mjaft!, grup që edhe unë në fillimet e kam besuar. Por kujtoj se Mjaft! që nga fillimi dhe deri në fund nuk ka thënë asgjë kundër Ramës, me gjithë atë që Rama i bënte Tiranës që në atë kohë. Ndërkohë, nuk ka asnjë person që mendohet që ka marrë pjesë në rrjepjen e Shqipërisë që ne nuk kemi denoncuar”, deklaroi Shabani. (A2 Televizion)
“Nisma” si Mjafti?, Shabani: Nuk kanë thënë një fjalë kundër Ramës, ne kemi denoncuar çdo person që ka “rrjepur” Shqipërinë
