Kënga serbe kundër Kosovës, Rama: Të mos lihet në heshtje asgjë që të çon në të shkuarën

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2026, 15:19 | Politikë

I pranishëm në Bruksel në Forumin II të Zgjerimit të Bashkimit Europian kryeministri Edi Rama reagoi në lidhje me këngën nacionaliste serbe të vendosur gjatë një eventi të Bashkimit Europian në Bruksel.

Gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së, të dielën, ishte përfshirë edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

Shefi i qeverisë shqiptare kërkoi që të mos lihet të kalojë në heshtje, por sipas tij njohja e Kosovës nga Serbia është një domosdoshmëri. “Nuk e di nëse ishte e qëllimtë, apo rezultat i injorancës, apo fakti që një këngë pa shije, nacionaliste, u interpretua në prag të këtij forumi për t'i shtuar plagës edhe fyerjen. U interpretua nën titullin e bukur meloditë e unitetit”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

“Nuk është se lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, të kombit shqiptar apo të qytetarëve shqiptarë të Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për mos të lënë të kalojë në heshtje asgjë që na kthen në të shkuarën. Unë kam qenë avokat prej shumë vitesh për sa e rëndësishme është për fqinjësinë tonë, për Serbinë, për ta mbajtur Serbinë në anën tonë, në anën e Europës gjatë gjithë kohës dhe dua të sigurohem që ajo çfarë po them të mos shkojë në të kundërt të kësaj bindjeje. Por në të njëjtën kohë mendoj se nuk duhet të lëmë hapësirë për fushëbetejat mesjetare që të shndërrohen në këngë mobilizuese apo fantazi mobilizuese të së sotmes. Sa më shpejt që Serbia të normalizojë e të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do të jetë për Serbinë e për të gjithë të tjerët”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos