Parisi: I përcollëm një mesazh Romës, boll me provokime

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2019, 08:47 | Bota
Parisi: I përcollëm një mesazh Romës, boll me provokime

Edhe pse tërheqja e ambasadorit francez në Romë nuk është e përhershme, vendimi u morr për t’i përcjellë një mesazh Italisë.

Këtë e tha zëdhënësi i qeverisë franceze  Benjamin Griveaux, i cili ironizon se batutat e Luigi Di Maios dhe Mateo Salvinit nuk e penguan Italinë të hyjë në recesion ekonomik.

”E tërhoqëm ambasadorin për konsultime. Nuk është një vendim i përhershëm, por është e rëndësishme të përcjellim një mesazh pasi Italia është aleat dhe partner historik i Francës”, pohoi Griveaux.

Sipas tij, Franca është bërë shënjestër e akuzave të vazhdueshme e të pabaza nga pjesëtarët e qeverisë italiane, Di Maio dhe Salvini.

“Pati thirrje për të votuar kundër presidentit, për të mbështetur lëvizjen e jelekëve të verdhë dhe për të vënë në dyshim iniciativat e Francës në Afrikë”, shtoi zëdhënësi i qeverisë franceze.

Ndërkaq ministri Italian i Transporteve dhe pjesëtar i lëvizjes së “5 yjeve” Danilo Toninelli pohoi të premten se takimi i zv.kryeministrit Luigi Di Maio me pjesëtarët e lëvizjes së jelekëve të verdhë nuk kishte qëllime provokuese.

”Takimi nuk ishte i çuditshëm dhe nuk ishte synim të ushtrohej presion ndaj qeverisë franceze. A mos duhet të protestojmë dhe ne ndaj faktit se Macron mbështet parti opozitare në Itali”, shtoi Toninelli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos