Serbia i shpreh mirënjohje Iranit për qëndrimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këtë e njofton qeveria në Beograd, pasi zëvendëskryeministri Aleksandër Vulin, takoi presidentin e ri iranian, Masud Pezeshkian, pas betimit që bëri në parlament.
Në bisedën e tyre vlerësuan marrëdhëniet mes të dyja vendeve duke shtuar se ka hapësirë për thellim të bashkëpunimit.
“Vulin, i cili është edhe i dërguari i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se të dy vendet ndajnë një miqësi të sinqertë dhe se Serbia i është mirënjohës Iranit për qëndrimin e tij parimor ndaj mosnjohjes së të ashtuquajturës Kosovë”, lexohet në njoftimin e qeverisë serbe.
Gjatë qëndrimit në Teheran, Vulin është takuar dhe me kryetarin e parlamentit të Iranit. Gjithashtu ka marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri. (A2 Televizion)