
Rreth 300 persona janë evakuuar si masë paraprake në qytetin Sarcelles, në periferi të Parisit, pas zbulimit të një automjeti të dyshimtë pranë një sinagoge.
Sipas mediave franceze, incidenti ndodhi mbrëmjen e së shtunës në këtë zonë, e njohur për komunitetin e saj të madh hebre. Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, konfirmoi se autoritetet ndërhynë menjëherë për të garantuar sigurinë e banorëve dhe të besimtarëve, shkruan A2CNN.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti një armë ushtarake, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Ministri bëri të ditur se hetimet janë në vijim për të zbardhur motivin e ngjarjes dhe për të identifikuar personin ose personat e përfshirë.
(A2 Televizion)