
Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara, Lindsey Graham, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtër dhe të papritur, njoftoi zyra e tij.
Graham, i cili përfaqësonte shtetin e Karolinës së Jugut në Senat që prej vitit 2003, ishte një nga figurat më të njohura të Partisë Republikane dhe një zë i fuqishëm në politikën e jashtme amerikane.
Presidenti Donald Trump reagoi pas lajmit për vdekjen e senatorit, duke e cilësuar atë një “patriot të vërtetë amerikan” dhe duke thënë se do të mungojë shumë.
Trump deklaroi se kishte folur me Graham vetëm disa orë para vdekjes së tij dhe se ai dukej mirë, megjithëse pak i lodhur. Sipas mediave amerikane, ekipet e emergjencës iu përgjigjën një raportimi për një arrest kardiak në një banesë në pronësi të Graham në Uashington, shkruan A2CNN.
Graham kishte qenë një figurë me ndikim në çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme, duke mbështetur ndërhyrjet ushtarake amerikane jashtë vendit, forcimin e aleancës me Izraelin dhe ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Senatori kishte pasur një marrëdhënie të ndërlikuar me Donald Trumpin. Në fillimet e karrierës politike të Trumpit, Graham ishte një kritik i ashpër i tij, por më vonë u kthye në një nga mbështetësit më të rëndësishëm të presidentit republikan.
Ai mbështeti Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe votoi kundër dënimit të tij në procesin e shkarkimit në vitin 2021.
Lajmi për vdekjen e Grahamit u prit me reagime edhe nga liderë ndërkombëtarë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu trishtimin për humbjen e tij, duke e cilësuar një udhëheqës të vendosur.
(A2 Televizion)