Presidenti amerikan Donald Trump tha se do të urdhërojë një bllokadë totale dhe të plotë ndaj të gjitha cisternave të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se qeveria e Nikolas Maduros ishte përcaktuar si organizatë terroriste dhe e akuzoi atë për vjedhje të aseteve amerikane, si dhe për terrorizëm, kontrabandë droge dhe trafik të qenieve njerëzore.
“Venezuela është errësuar plotësisht nga armata më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut. Do të bëhet vetëm më e madhe dhe tronditja për ta do të jetë diçka që nuk kanë parë deri më tani, deri në kohën kur të kthejnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithë naftën, tokën dhe asetet e vjedhura. Sot po urdhëroj një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha cisternave të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela”, tha Trump.
Deklarata e tij vjen një javë pasi SHBA sanksionoi një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës. Homologu i tij, Maduro, dënoi nga Karakasi atë që e quajti "kërcënim grotesk" të Trumpit. Teksa akuzoi SHBA se po përpiqen të sekuestrojnë burimet natyrore të Venezuelës, Maduro bëri sërish thirrje për paqe, këtë herë përmes një versioni rock të këngës së kthyer në një sensacion botëror, “Jo luftës, po paqes”.
SHBA ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në Detin e Karaibeve, i cili kufizohet me Venezuelën në veri. Pentagoni ka dërguar trupa dhe USS Gerald Ford, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, e pozicionuar brenda distancës së goditjes nga Venezuela. Kongresmeni Joaquin Castro, një demokrat që përfaqëson Teksasin, tha se "bllokada detare e Trump është padyshim një akt lufte". (A2 Televizion)