
Dy persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe një fëmijë dyvjeçar, pas një sulmi me armë zjarri që ndodhi në Seattle të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të shtënat nisën rreth orës 18:00 me orën lokale, ndërsa në zonë po zhvillohej një festival i madh ushqimi pranë monumentit të njohur Space Needle. Ngjarja shkaktoi panik mes mijëra pjesëmarrësve, të cilët u larguan me vrap nga vendi i incidentit.
Kryetarja e Bashkisë së Seattle, Katie Wilson, konfirmoi se një person i dyshuar është arrestuar në lidhje me sulmin.
Ndërkohë, spitali ku po trajtohen disa nga të plagosurit është vendosur në regjim të pjesshëm izolimi për arsye sigurie, bëri të ditur një zëdhënës i institucionit, shkruan A2.
Dëshmitarët okularë thanë se dëgjuan disa të shtëna me armë, ndërsa një pjesëmarrës në festival e përshkroi situatën si “kaos i plotë”.
Guvernatori i shtetit të Uashingtonit u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave, ndërsa një kongresmene nga Seattle dënoi ngjarjen, duke e cilësuar atë si një akt “dhune të pakuptimtë”.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet e sulmit, ndërsa nuk janë bërë ende publike identitetet e viktimave.
(A2 Televizion)