“Gaza po digjet”. Kështu njofton ministri i mbrojtjes i Izraelit, pasi ushtria e tij ka bombarduar rëndë qytetin kryesor të enklavës palestineze. “IDF po godet infrastrukturën terroriste me grusht të hekurt dhe ushtarët po luftojnë me trimëri për të krijuar kushtet për lirimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit”, shkroi Israel Katz në një postim në llogarinë e tij X.
“Ne nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të kthehemi prapa derisa misioni të përfundojë”, theksoi ministri izraelit. Kjo vjen në një kohë kur mediat raportojnë se forcat e shtetit hebre kanë nisur një ofensivë tokësore për një pushtim masiv.
“Ne kemi filluar operacionin intensiv në Qytetin e Gazës, kjo është një fazë vendimtare, 40% e banorëve të qytetit janë evakuuar. Më shumë se 350,000 banorë janë larguar tashmë nga qyteti dhe eksodi vazhdoi gjatë natës”, deklaroi kryeministri Benjamin Netanyahu.
Qytetarët në enklavën palestineze tregojnë për orët e ferrit që po përjetojnë pas sulmeve masive dhe ofensivës tokësore. Të paktën 38 persona janë vrarë gjatë natës në Gaza, raporton CNN, duke specifikuar se spitalet Al-Shifa dhe Baptist në qytet raportuan përkatësisht 23 dhe 12 vdekje, ndërsa Spitali Al-Aqsa raportoi tre viktima të tjera, shkruan A2 CNN.
Videot e siguruara nga CNN tregojnë trupat e shumë fëmijëve të përgjakur që mbërrijnë në spitalet në Gazën veriore, së bashku me të rritur që ulërijnë nga dhimbja ndërsa vajtojnë trupat e fëmijëve të tyre. “Kemi filluar shkatërrimin e infrastrukturës së Hamasit në Qytetin e Gazës. Qyteti është një zonë e rrezikshme luftimi”, paralajmëron ushtria izraelite.
“Qëndrimi brenda zonës vë jetën tuaj në rrezik. Evakuohuni sa më shpejt të jetë e mundur në zonat e caktuara, me automjet ose në këmbë, nëpërmjet Rrugës Rashid në jug të lumit Gaza. Bashkohuni me më shumë se 40 përqind të banorëve që tashmë janë larguar nga qyteti për të mbrojtur veten dhe të dashurit e tyre”, vazhdon paralajmërimi në gjuhën arabe. (A2 Televizion)