Izraeli ka kryer gjenocid kundër Palestinezëve në Gaza. Këtë e ka konfirmuar një komision hetimor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Një raport i ri thotë se ka baza të arsyeshme për të arritur në përfundimin se katër nga pesë aktet gjenocidale të përcaktuara sipas ligjit ndërkombëtar janë kryer që nga fillimi i luftës me Hamasin në vitin 2023: vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i dëmtimeve të rënda trupore dhe mendore, shkaktimi i qëllimshëm i kushteve të llogaritura për të shkatërruar grupin etnik dhe parandalimi i lindjeve.
Komisioni hetimor citon deklaratat e udhëheqësve izraelitë dhe modelin e sjelljes së forcave izraelite, si provë të qëllimit gjenocidal. Ministria e Jashtme e Izraelit tha se e hodhi poshtë kategorikisht raportin, duke e denoncuar atë si “të shtrembëruar dhe të rremë”.
Një zëdhënës i akuzoi tre ekspertët në komision se shërbenin si “përfaqësues të Hamasit” dhe mbështeteshin “tërësisht në gënjeshtrat e Hamasit, të shpëlara dhe të përsëritura nga të tjerët” që “tashmë ishin demaskuar plotësisht”. “Në kontrast të plotë me gënjeshtrat në raport, Hamasi është pala që tentoi gjenocid në Izrael, duke vrarë 1,200 njerëz, duke përdhunuar gra, duke djegur familje të gjalla dhe duke deklaruar hapur qëllimin e tij për të vrarë çdo hebre”, pretendoi zëdhënësi. Të paktën 64,905 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga nisja e luftës në tetor të vitit 2023, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi, shkruan A2 CNN.
Shumica e popullsisë është zhvendosur gjithashtu në mënyrë të përsëritur; më shumë se 90% e shtëpive vlerësohet të jenë dëmtuar ose shkatërruar; sistemet e kujdesit shëndetësor, ujit, kanalizimeve dhe higjienës janë shembur. Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit mbi Territorin e Pushtuar Palestinez u krijua nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në vitin 2021 për të hetuar të gjitha shkeljet e pretenduara të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut. (A2 Televizion)