Një tjetër ditë kaosi në Los Anxhelos. Kjo bëri që presidenti amerikan, Donald Trump, të dërgojë 2 mijë trupa ushtarake në shtetin e Kalifornisë, gjithashtu të urdhërojë dislokimin e 700 marinsave, siç thuhet, për të vendosur qetësi dhe shuar protestat pro emigrantëve. Megjithatë manifestimet nuk janë shuar. Për të disatën ditë me radhë, me qindra njerëz kanë protestuar operacionet e ndalimit dhe dëbimit të emigrantëve.
Reagimi i policisë, bashkë me ndërhyrjet ushtarake, prodhuan skena dhune por edhe arrestime të shumta. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neësom, ka ndërmarrë hapa ligjorë për të sfiduar urdhrat e presidentit Trump për angazhimin e forcave të armatosura pa lejen e liderit rajonal. Kjo nxiti dhe këtë reagim të kreut të Shtëpisë së Bardhë.
“Ai është një guvernator i paaftë. Shikoni punën që po bën në Kaliforni. Ai po shkatërron një nga shtetet tona të mëdha. Nuk e di çdo të ndodhte nëse nuk do të përfshihesha, nëse nuk do të sillnim gardën. Në fakt duhej që të sillnim më shumë ushtarë, sepse duhet të sigurohemi që do të ketë ligj dhe rend. Patët një katastrofë që ndodhi dhe tani ata e pranojnë se ishte një katastrofë. E pashë shefin dje, i cili është një njeri i mirë, meqë ra fjala, dhe tha, 'epo, jemi me fat që e bëmë këtë', sepse ishin të mbingarkuar. E patë çfarë po ndodhte”, tha Trump.
Megjithatë kryebashkiakja e Los Anxhelos nuk pajtohet aspak me ndërhyrjen e qeverisë federale.
“Duhet të ndalojnë operacionet e ndalim-dëbimit. Kjo nuk duhet të ndodhë në qytetin tonë. Nuk është e justifikuar. Dhe e vetmja gjë që bën është të kontribuojë në kaos. Ky ishte kaos që filloi në Uashington DC. Të enjten qyteti ishte i qetë, të premten nuk ishte për shkak të ndërhyrjes së qeverisë federale. Dhe përsëri, nuk mendoj se qyteti ynë duhet të jetë një rast prove, një laborator”, tha kryebashkiakja Bass.
Demonstratat nisën në zemër të Los Anxhelos të premten pasi oficerët e Agjencisë për emigracionin kryen disa operacione ku ndaluan dhjetëra emigrantë. (A2 Televizion)