Kjo ishte nata e njëmbëdhjetë radhazi e sulmeve të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit. Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se “ka goditur qendra operacionesh ushtarake, asete detare, hangare avionësh, objekte magazinimi për dronë dhe infrastrukturë logjistike ushtarake, duke synuar të dobësojë më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar transportin tregtar në Ngushticën e Hormuzit”, thuhet në një deklaratë.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se mbrojtja ajrore u aktivizua në kryeqytetin Teheran. Shpërthime u dëgjuan gjithashtu në qytetin veriperëndimor të Tabrizit, portet juglindore të Chabahar dhe Konarak, si dhe në qytetin jugor të Bushehrit, ku ndodhet i vetmi termocentral bërthamor i Iranit. Por edhe regjimi është kundërpërgjigjur duke lëshuar raketa dhe dronë në drejtim të bazave dhe aseteve amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tregoi pse diplomacia nuk po funksionon.
“Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë të përkushtuara ndaj diplomacisë. Ne jemi mendjehapur dhe gjithmonë të gatshëm të angazhohemi në zgjidhje të mosmarrëveshjeve me anë të negociatave, dhe kjo mbetet e vërtetë në rastin e Iranit. Problemi që po kemi tani është se ata nuk janë seriozë në lidhje me bisedimet. Nëse bëhen seriozë, edhe ne do të jemi të tillë. Nëse nuk janë, atëherë do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur interesat tona dhe gjithashtu interesat e aleatëve tanë”, tha Rubio.
Irani, i cili ka sulmuar bazat ushtarake të SHBA-së dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme, paralajmëroi për hakmarrje pasi presidenti Donald Trump tha se ushtria amerikane së shpejti do të godasë një central bërthamor nëntokësor pranë Natanzit. (A2 Televizion)