Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi sërish kundërshtarin e tij se po përgatitet për të bërë reformë territoriale të njëanshme, por tha se përgjigja e demokratëve do të jetë protesta.
“Akoma nuk ka ardhur ekspertiza e pritshme nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale. Të gjithë Shqipërinë do e ngremë në këmbë. Nuk ka. Nuk mund ta bëjë ky si çiflig personal të tij vendin”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Mbi 50 ditë protestë, ndërsa të enjten parashikohet tubim përballë Parlamentit që mblidhet në seancë plenare. Berisha kishte një mesazh për të gjithë strukturat e Partisë Demokratike. “Do bëni çdo gjë për të mobilizuar të gjithë mbështetësit dhe anëtarësinë tonë për ta mbështetur këtë protestë në mënyrën më të fuqishme. E ka vendosur regjimin në agoni. Nuk duhet në asnjë mënyrë, as në të mijtën e sekondës të harrojmë se çfarë kauze të drejtë mbron kjo protestë”.
Një replikë pati edhe me kreun e qeverisë, i cili ka akuzuar protestuesit se po dëmtojnë turizmin këtë vit. “E vërteta është sot se si kurrë më parë, plazhet e vendit janë bosh, jo gjysmë bosh, por shumë më tepër se gjysmë bosh, nga Saranda në Shëngjin dhe më lart. Dhe faktori më shkatërrimtar për turizmin, më toksik, është narkoeuro, e cila ka rënë me 32 për qind”.
Duke treguar edhe shifra, lideri opozitar tha se përveç Euros po zhvlerësohen edhe valuta të tjera të huaja. (A2 Televizion)