Presidenti Sirian: Izraeli “po lufton fantazmat"

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2025, 18:15 | Bota

Presidenti Sirian: Izraeli “po lufton fantazmat"

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed Al-Sharaa, ka akuzuar Izraelin se po “eksporton kriza” në vendet fqinje dhe se është futur në një “luftë kundër fantazmave”, ndërsa sulmet ajrore dhe inkursionet tokësore izraelite në jug të Sirisë vijojnë për të dytin vit radhazi. Deklaratat u bënë gjatë Forumit të Dohas, ku Al-Sharaa foli në një intervistë me Christiane Amanpour të CNN.

Kreu i shtetit sirian kërkoi rikthimin e menjëhershëm të marrëveshjes së vitit 1974, që për gati pesë dekada kishte garantuar një zonë neutrale mes forcave siriane dhe atyre izraelite. Ai tha se Izraeli duhet të kthehet në vijat para 8 dhjetorit 2024, kur forcat izraelite hynë në territorin jugor sirian, përfshirë majën strategjike të Malit Hermon. Izraeli ka sinjalizuar se synon të qëndrojë aty për një kohë të pacaktuar.

Sipas Al-Sharaa, çdo tentativë për të rishikuar marrëveshjen do të çonte në “një situatë serioze dhe të rrezikshme”. Ai argumentoi se një zonë e re tampon do të ishte e paqëndrueshme nëse forcat siriane nuk do të lejoheshin ta siguronin.

Presidenti theksoi se Siria ka pësuar mbi 1000 sulme ajrore dhe më shumë se 400 inkursione tokësore nga Izraeli që prej rënies së regjimit të Assadit një vit më parë. Në një operacion izraelit në jug të vendit muajin e kaluar, u vranë të paktën 13 persona.

Al-Sharaa u ndal edhe te abuzimet e kryera në zonat bregdetare në fillim të vitit, ku qindra civilë Alawitë u masakruan. Ai premtoi se autorët do të mbahen përgjegjës dhe se shteti do të forcojë sundimin e ligjit për të mbrojtur të gjitha pakicat.

Sa i përket tranzicionit politik, Al-Sharaa njoftoi se mandati i tij do të zgjasë edhe katër vite të tjera, derisa të hartohet kushtetuta e re dhe të ndërtohen institucionet demokratike, përcjell A2 CNN. Edhe pse zgjedhjet parlamentare të tetorit u shoqëruan me kritika për përfaqësimin e mangët, ai u shpreh se procesi politik është në zhvillim.

Në planin ekonomik, Al-Sharaa deklaroi se vendi po sheh shenja stabilizimi, nën ndikimin e investimeve nga Katari dhe Arabia Saudite. Furnizimi me energji elektrike, nga vetëm një orë e gjysmë në ditë, ka arritur në 12–14 orë, dhe sipas tij, Siria synon vetë-mjaftueshmëri brenda vitit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos