Çahet kordoni i policisë, protestuesit rrethojnë uniformat blu para Parlamentit

Nga A2 CNN
8 Tetor 2026, 13:15 | Aktualitet

Situata para Parlamentit vijon të jetë e tensionuar, ku protestuesit janë përplasur me policinë, duke tentuar të çajnë perimetrin e sigurisë dhe t’i afrohen më shumë godinës së Kuvendit. A2 CNN raporton se një grup protestuesish ka kaluar lumin Lana dhe është bashkuar me qytetarë të tjerë pranë gardhit metalik në hyrje të rrugës “George W. Bush”.

Policia ka ndërhyrë për të zhvendosur turmën dhe për të mos lejuar kalimin përtej kordonit të sigurisë. Gjatë përplasjeve është përdorur disa herë spray me piper, ndërsa protestuesit kanë tentuar të godasin efektivët me shishe uji dhe gurë, shkruan A2 CNN.

Sipas raportimeve nga terreni të gazetarit të A2 CNN, Anesti Bajramemaj, disa qytetarë kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe shikimin për shkak të spray-t.

Policia ka angazhuar mbi 1 500 efektivë për menaxhimin e situatës.

Deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Klevis Balliu, u janë bashkuar protestuesve, duke kërkuar që policia të lejojë zhvillimin e protestës pranë Parlamentit. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita mbështet protestën qytetare.

Gjatë protestws janë ngritur edhe akuza ndaj qeverisë për çështje që lidhen me drejtësinë, sigurinë dhe reformën territoriale. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa policia vijon të mbajë të bllokuar hyrjen drejt Parlamentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos