Të dhënat tronditëse, mbi 10 mijë njerëz vdiqën nga i nxehti në Europë

Nga Rosalba Bejdo
13 Korrik 2026, 17:30 | Bota

Vala rekord e të nxehtit që përfshiu Evropën në fund të muajit qershor ka shkaktuar mbi 10 mijë vdekje më shumë se zakonisht. Sipas të dhënave të publikuara nga rrjeti EuroMOMO, i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, bilanci tragjik është shkaktuar në vetëm 1 javë në 27 vende evropiane.

Siç thuhet, më shumë se 9 mijë prej viktimave ishin persona mbi moshën 65 vjeç, grupi më i ekspozuar ndaj pasojave të temperaturave të larta. Ekspertët paralajmërojnë se i nxehti ekstrem mund të shkaktojë goditje termike, si edhe të përkeqësojë sëmundjet e zemrës dhe të frymëmarrjes.

Lasse Vestergaard: Një nivel kaq i lartë i vdekshmërisë së tepërt në këtë periudhë të vitit është i pazakontë. Shifrat janë shumë të larta. Është e vështirë të gjendet një shpjegim për këtë rritje të madhe të vdekshmërisë, përveç temperaturave ekstreme.

Shkencëtarët theksojnë se kjo valë rekord temperaturash do të kishte qenë pothuajse e pamundur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, të cilat po i bëjnë episode të tilla gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive, shkruan A2CNN. 

Java nga 22 deri më 28 qershor, kur Franca, Spanja, Britania dhe vende të tjera përjetuan kulmin e temperaturave, nuk u shoqërua me faktorë të tjerë madhorë, si shpërthime epidemike, që të justifikonin këtë rritje të vdekshmërisë. Vala e të nxehtit shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike, mbyllje shkollash dhe rekorde historike temperaturash në disa shtete evropiane.

Ndërkohë, një studim i veçantë vlerëson se vetëm në Angli dhe Uells rreth 2 mijë e 700 persona humbën jetën si pasojë e të nxehtit gjatë muajve maj dhe qershor, ndërsa 42 për qind e këtyre vdekjeve lidhen drejtpërdrejt me ndikimin e ngrohjes globale në intensifikimin e valëve të të nxehtit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos