Tmerr në Bangkok! Argëtimi kthehet në tragjedi, viktima e të plagosur nga zjarri në lokalin e natës

Nga Rosalba Bejdo
13 Korrik 2026, 10:52 | Bota

Të paktën 27 persona humbën jetën dhe 22 të tjerë ndodhen në gjendje kritike pas një zjarri të fuqishëm që përfshiu një lokal nate në Bangkok të Tajlandës, pak pas mesnatës së të dielës. Sipas dëshmitarëve, flakët nisën pranë skenës së një lokali popullor në distriktin e Chatuchak dhe u përhapën me shpejtësi, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe duke mbushur ambientin me tym të dendur.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë klientë që largohen në panik, ndërsa disa prej tyre kishin marrë flakë në rroba.

“Shoqja ime, e cila është këngëtare dhe po performonte në skenë, tregoi se fillimisht ndjeu erën e diçkaje që po digjej. Pak më vonë pa se tavani kishte marrë flakë. Disa persona u plagosën nga copat që ranë nga tavani, pasi duket se ai ishte ndërtuar me material shkumor për thithjen e zërit”, rrëfeu Sukanya Ëongëongëai.

Zjarrfikësit arritën ta vinin situatën nën kontroll brenda rreth 30 minutash, por shumica e viktimave u gjetën në tualetin e lokalit, ku besohet se ishin strehuar për t’i shpëtuar flakëve. Autoritetet njoftojnë se mbi 60 persona po trajtohen në spital.

Hetimet paraprake dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër në sistemin e kondicionimit, megjithëse shkaku zyrtar ende nuk është konfirmuar. Dyshohet gjithashtu se materialet e ndezshme në tavan dhe një dalje emergjence e bllokuar mund të kenë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve dhe rritjen e numrit të viktimave.

Kjo është një tjetër tragjedi e rëndë në Tajlandë, një vend që është përballur edhe më parë me zjarre vdekjeprurëse në ambiente argëtimi, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi zbatimin e standardeve të sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos