Është thelluar bilanci i tragjedisë së ndodhur pasditen e sotme në Lisbon të Portugalisë, si pasojë e përmbysjes së tramvajit ikonik Gloria. Mediat portugeze raportojnë se numri i viktimave është rritur në 15, ndërsa 18 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pesë prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Dalja nga shinat e tramvajit të Lisbonës ka shkaktuar një nga aksidentet më tragjike të regjistruara në kryeqytetin portugez vitet e fundit sipas të dhënave të ofruara nga policia.
Tramvaji ikonik Gloria, një nga mjetet e transportit më të përdorura nga turistët, u përplas me një ndërtesë pranë Liberty Avenue. Ky tramvaj lidh sheshin Restauradores, në pjesën e poshtme të kryeqytetit portugez, me lagjen Bairro Alto, është një mjet i njohur transporti për turistët, të cilët shpesh formojnë radhë të gjata për të hyrë në të dhe ka një kapacitet prej 43 pasagjerësh.
Aksidenti ndodhi në orën 6:05 të mbrëmjes sipas orës lokale, pranë Sheshit Restauradores. Imazhet tregojnë tramvajin e përmbysur pasi u përplas me një ndërtesë në Gloria Causeway.
Një dëshmitare e aksidentit i tha SIC se e pa tramvajin duke zbritur në mënyrë të pakontrolluar poshtë shpatit të pjerrët derisa u përplas me një ndërtesë. "Ai goditi një ndërtesë me forcë brutale dhe u shemb si një kuti kartoni, nuk kishte frena", tha dëshmitarja okulare.
Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa përmes një deklarate për mediat shprehu keqardhje të thellë për aksidentin dhe numrin e lartë të të vdekurve dhe të plagosurve.
Zyra e Kryeministrit Luís Montenegro shprehu gjithashtu solidaritetin e saj me të prekurit dhe njoftoi se do të kryhen hetime për të sqaruar shkaqet e aksidentit.
"Lisbona është në zi", deklaroi kryebashkiaku Carlos Moedas, i cili mbërriti në vendngjarje disa orë më vonë.
Policia Gjyqësore dërgoi një ekip në zonë disa orë pas incidentit për të filluar hetimin e shkakut të daljes së tramvajit nga shinat. (A2 Televizion)