Kim s'i beson as mikut, stafi i tij zhduk gjurmët e ADN-së nga dhoma pas takimit me Putin

Nga A2 CNN
3 Shtator 2025, 19:17 | Bota

Kim s'i beson as mikut, stafi i tij zhduk gjurmët e ADN-së nga

Presidenti rus Vladimir Putin u takua të mërkurën në Pekin me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe e falënderoi atë për guximin e ushtarëve të tij në luftën kundër forcave ukrainase, ndërsa Kim i tha se ishte gati të bënte gjithçka që mundet për të ndihmuar Rusinë.

Por më shumë sesa takimi i tyre, ajo që ndodhi pas tij tërhoqi vëmendjen e mediave ruse. Ata raportuan se stafi i diktatorit të Koresë së Veriut zhduku menjëherë të gjitha gjurmët e pranisë së Kim në dhomën ku u zhvillua takimi me Putinin.

Një video e postuar në Telegram tregon një punëtor që fshin karrigen e Kim-it, duke u kujdesur të pastrojë si krahët prej druri të saj ashtu edhe tavolinën pranë tyre.

Në të njëjtën kohë, një punonjës tjetër i stafit të sigurisë heq gotën nga e cila piu Kim, që ndodhej në një tabaka.

Pamjet u shfaqën edhe në mediat sociale dhe duket se stafi i sigurisë donte të eliminonte çdo gjurmë të ADN-së së presidentit të tyre. Megjithatë, Putin dhe Kim u larguan nga zyra dukshëm të kënaqur dhe shkuan të pinin çaj.

Nuk është e qartë nëse Kim e urdhëroi këtë nga frika e shërbimeve sekrete të Putinit apo nga kinezët, por diktatori i Phenianit nuk është i vetmi udhëheqës botëror i shqetësuar për mbrojtjen e ADN-së së tij. Truprojat e Putinit thuhet se mbledhin urinën dhe jashtëqitjet e tij në qese të mbyllura kur ai është jashtë vendit dhe i dërgojnë ato në Moskë në valixhe të posaçme.

Kjo praktikë ka qenë në fuqi që nga viti 2017, me qëllim parandalimin e mbledhjes së informacionit në lidhje me shëndetin e tij përmes lëngjeve të tij trupore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos