
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka vendosur një tarifë prej 50% mbi një sërë mallrash të importuara nga Kanada, si hakmarrje për atë që ai e quajti "trajtim jo i barabartë" i makinave, produkteve të qumështit dhe alkoolit amerikan.
Pjesë e këtyre masave janë si artikujt e përditshëm të konsumit, si vera dhe shkopinjtë e hokejit, ashtu edhe mallrat industriale, si çimentoja. Sidoqoftë, disa nga eksportet kryesore do të kursehen, si energjia, potasi, mineralet kritike dhe peshku.
Kryeministri Mark Carney u përgjigj duke thënë se Kanada është e gatshme të "intensifikojë" bisedimet tregtare me SHBA-në në javët e ardhshme.
Shtëpia e Bardhë bëri me dije se tarifat do të hyjnë në fuqi pas 30 ditësh. Kjo shënon një përshkallëzim të madh të tensioneve tregtare mes fqinjëve të Amerikës së Veriut.
Tarifat e reja zbatohen për të gjitha mallrat e përfshira, pavarësisht nëse produkti përfshihej ose jo në marrëveshjen ekzistuese të tregtisë së lirë mes Kanadasë, SHBA-së dhe Meksikës, e njohur si USMCA.
"Kjo është e fundit në një sërë veprimesh tregtare të SHBA-ve, të cilat nisën me vendosjen e një sërë tarifave nga SHBA-ja në shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes Kanada-Shtetet e Bashkuara-Meksikë," tha Carney në një deklaratë në platformën X.
Ai përmendi gjithashtu "kërcënimet ndaj sovranitetit kanadez", një referencë e mundshme kjo ndaj thirrjeve të Trump-it për ta kthyer fqinjin verior të Amerikës në shtetin e 51-të të SHBA-së.
Taksat e importit të vendosura të hënën thellojnë edhe më tej barrierat tregtare që tashmë ekzistojnë mes dy kombeve.
(A2 Televizion)