Sulmohet porti i Odesës! Raketat balistike ruse shkaktojnë kaos në Ukrainë

Nga Erjon Dervishi
20 Korrik 2026, 19:40 | Bota

Një sulm me raketa ruse ndaj një anijeje që transportonte misër pranë portit jugor ukrainas të Odesës la të vdekur 10 persona. Kështu kanë bërë me dije zyrtarët ukrainas. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në kuadër të një përshkallëzimi të dhunës që ka zgjatur prej javësh në Detin e Zi.

Rusia goditi "Golden Leo",  një anije me flamur të Guinesë-Bisau dhe me ekuipazh nga India dhe Siria  me tri raketa lundruese, duke shkaktuar një tragjedi, njoftoi marina ukrainase në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Një dëshmitar i agjencisë Reuters në Odesë pa tym që dilte nga një anije në det të hapur të dielën; Reuters arriti të konfirmonte se bëhej fjalë për "Golden Leo".

Një sulm tjetër rus ndaj Odesës, portit më të madh detar të Ukrainës, la të vdekur tre persona dhe plagosi tre të tjerë të hënën, tha Serhiy Lysak, kreu i administratës ushtarake të qytetit. Ai tha se u goditën objekte të infrastrukturës, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Një operacion kërkim-shpëtimi zgjati gjatë gjithë natës, njoftoi autoriteti i porteve detare të Ukrainës, duke shtuar se humbën jetën nëntë anëtarë të ekuipazhit dhe një nga pilotët detarë. Tetë nga 17 anëtarët e ekuipazhit të anijes u shpëtuan, shtoi autoriteti.

Deti i Zi ishte një pikë e nxehtë e luftës në Ukrainë në muajt pas pushtimit të plotë të fqinjit të saj nga Rusia në vitin 2022. Megjithatë, në kuadër të një marrëveshjeje që synonte të zbutte tronditjet e çmimeve globale dhe të mundësonte transportin e grurit nga të dyja vendet, lundrimi kishte rifilluar në masë të madhe.

Por tani, Moska dhe Kievi po intensifikojnë sulmet në Detin e Zi dhe Detin Azov, duke vënë në shënjestër burime kyçe të të ardhurave.

Forcat ukrainase kanë goditur infrastrukturën energjetike ruse, përfshirë cisternat e naftës, ndërsa Rusia po shton sulmet ndaj porteve të thella dhe anijeve të ngarkesave të Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të hënën se forcat e saj goditën depozitat e karburantit në portin e Odesës gjatë natës, raportoi agjencia Interfax.

Sulmet ruse kanë shkaktuar vdekjen e 28 personave në rajonin e Odesës deri më tani këtë muaj, deklaroi guvernatori i rajonit të hënën.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë eksportues të mëdhenj gruri, dhe rishfaqja e dhunës në këtë itinerar ka ngritur shqetësime lidhur me furnizimet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos